Jump to Navigation

Hemograma – Gjak komplet

Hemograma është një ekzaminim që na jep informacion për tre ndarjet kryesore të gjakut. Rruazat e kuqe, Rruazat e bardha dhe Trombocitet. Eritrocitet përmbajnë hemoglobinën, proteinë kjo që transporton oksigjenin nëpër qelizat e organizmit. Tek njeriu i shëndetshëm, rruazat e kuqe kanë formë të ngjashme dhe përqëndrim normal të Hb. Ndryshime kemi në rastet e patologjive, si mungesa e hekurit, Vit B12 apo acidit folik.

Në rastet kur niveli i Hb apo numri i eritrociteve është më i vogël se norma, kemi të bëjmë me anemi, e cila manifestohet me këputje trupi, debulesë të përgjithshme dhe vështirësi në frymëmarrje. Por ka raste që asnjë ankesë nuk është e pranishme. Në rastet kur numri i eritrociteve është mbi normë, kemi të bëjmë me policiteminë, e cila shoqërohet me çrregullime të fluksit të gjakut në enët e gjakut. PLT- trombocitet luajnë rol shumë të rëndësishëm në koagulimin e gjakut. Nëse numri i tyre është i ulët, kemi risk të shtuar për hemorragji.

WBC -leukocitet janë klasa përgjegjëse për mbrojtjen ndaj infeksioneve. Ato kanë disa nënklasa: neutrofilet, limfocitet, bazofilet, euzinofilet dhe monocitet. Në varësi se cila prej nënklasave është e rritur gjykojmë edhe për llojin e shkaktarit. Psh; në rastet e infeksioneve bakteriale rritet numri i neutrofileve, ndërsa në ato virale, kryesisht limfocitet. Në rastet e alergjive pritet një rritje e numrit të euzinofileve.



Main menu 2