Jump to Navigation

Infeksionet spitalore

njohja dhe parandalimi Është shumë e rëndësishme të njohim llojet e infeksioneve spitalore, mënyrat e përhapjes dhe parandalimin e tyre. Sipas mjekëve infeksionistë, infeksionet spitalore janë një ndër problemet më të mëdha që mjekësia vuan ende sot.

Infeksionet spitalore, që në gjuhën mjekësore njihen ndryshe si infeksione nosokomiale vjen nga fjala greke nosokomeion që do të thotë ( nosos- “sëmundje” dhe komeo – “me u kujdes”). I referohet infeksioneve të fituara, ndërkohë që pacienti është duke u trajtuar në mjediset spitalore.

Ndërsa, një përkufizim më të thjeshtë do të ishte kur shenjat klinike të një infeksioni shfaqen dy ditë pas hospitalizimit të pacientit ose deri në 30 ditë pas largimit të tij nga spitali. Njerëzit e shëndetshëm pavarësisht se nuk kanë shenja të infeksionit janë të infektuar nga mikroorganizma patogjene. Feçet përmbajnë rreth 1013 bakter/gram dhe numri i mikroorganizmave në lëkurën e fytyrës ndryshon midis 100 dhe 10.000 për cm2. Shumë lloje të mikroorganizmave jetojnë në mukozën e organizmit tonë, ku ata formojnë florën normale. Megjithatë, asnjë nga këto inde nuk është i infektuar. Nëse një ind apo sistem i organizmit shfaq shenja të infeksionit pas një infektimi, kjo varet nga bashkëveprimi midis mikroorganizmit dhe bujtësit (trupit të njeriut).

Infeksionet e fituara spitalore mund të jenë:
• Infeksioni endogjen • Vetë-infeksion Agjenti shkaktar i infeksionit është i pranishëm tek pacienti në kohën e shtrimit në spital, por nuk ka shenja të infeksionit. Infeksioni zhvillohet gjatë qëndrimit në spital, si pasojë e ndryshimit të rezistencës trupore të pacientit.
Ekzogjen ose Infeksione të kryqëzuara: Në këtë rast infeksioni është i fituar nga pajisjet spitalore. Gjatë qëndrimit në spital, pacienti bie në kontakt me agjentë infektive të rinj, infektohet dhe më pas zhvillon një infeksion. Klasifikimi sipas shkaktarëve patogjenë (infektues) Patogjenë konvencionalë. Shkaktojnë sëmundje në çdo individ, pavarësisht shkallës së imunitetit të tij.
Patogjene të kushtëzuar. Shkaktojnë sëmundje vetëm në personat me rezistencë të reduktuar ndaj infeksionit (përfshirë foshnjat e porsalindura), kur janë futur direkt në ind ose në një sistem normalisht steril të organizmit. Patogjenet oportunistë. Janë ata mikroorganizma, të cilat gjenden normalisht në trupin e njeriut duke jetuar në ekuilibër me të dhe kthehen në patogjenë, në kushtet kur imuniteti lokal dhe ai i përgjithshëm dëmtohen.

Incidenca e infeksioneve spitalore
Infeksionet spitalore ndodhin kudo, në të gjithë botën dhe prekin si vendet e zhvilluara, ashtu edhe ato në zhvillim e sipër. Rreth 1.4-1.7 milion pacientë vuajnë çdo vit nga infeksionet spitalore apo komplikacionet e tyre në të gjithë botën. Sidoqoftë, frekuencë më të lartë paraqesin vendet e Mesdheut lindor dhe rajoni jug-perëndimor i Azisë.

Pavarësisht zhvillimeve të teknikave të reja mjekësore, infeksionet spitalore tashmë janë një realitet dhe një problematikë mjaft serioze, jo vetëm për vendet në zhvillim, por edhe në ato vende me mjekësi elitare. Ata janë ndër shkaktarët më madhorë të vdekshmërisë spitalore. Gjithashtu, janë edhe një problem ekonomik për pacientin dhe sistemin shëndetësor.

Ndër faktorët që ndikojnë në mbajtjen e infeksioneve spitalore do të përmendim:
• Rënia e imunitetit, si pasojë e patologjive të ndyshme kronike, malinje;
• Shtimi i procedurave invazive;
• Rritja e mikroorganizmave rezistencë ndaj barnave;
• Mbipopullimi i spitaleve;
• Rritja e përdorimit të preparateve imunosupresuese ( preparate reduktues të imunitetit);
• Kontakti me personat e infektuar;
• Kontaminimi ( infektimi) i instrumentave apo pajisjeve mjekësore;
• Hospitalizimi i gjatë;
• Rritja e jetëgjatësisë së pacientëve etj.

Infeksionet spitalore mund të merren nga:
Kontakti direkt. Ndodh kur infeksioni merret nga personeli ose nga një tjetër pacient mbartës i mikroorganizmit patogjen.
Kontakti indirekt. Është rruga më e zakonshme dhe më e hasur e marrjes së infeksioneve spitalore. Pacienti i infektuar bie në kontakt me një pajisje apo instrument mjekësor, duke e infektuar atë. Kontakti pasues ndërmjet sendit dhe një tjetër pacienti apo personeli shëndetësor, ka të ngjarë të infektojë individin e dytë, i cili më pas mund të zhvillojë një infeksion.
Gjatë kujdesit të përgjithshëm dhe/ose trajtimit mjekësor, duart e personelit shëndetësor janë gjithmonë një ndër mundësitë më të mëdha të përhapjes së infeksioneve spitalore. Transmetimi i infeksioneve nga kjo rrugë është shumë më e zakonshme se nga vektorët, transmetimi nëpërmjet ajrit ose formave të tjera të drejtpërdrejta apo të tërthorta të kontaktit.
Transmetimi me anë të ajrit. Ndodh vetëm me mikroorganizma që janë të shpërndara në ajër dhe përhapen nëpërmjet spërklave, tështitjes, kollitjes, pluhurit etj. Rasti tipik është gripi, tuberkulozi pulmonar (TBC) etj.
Transmetimi nëpërmjet vektorëve. Ky lloj transmetimi është tipik i vendeve, në të cilat insektet dhe parazitët e tjerë janë të përhapur. Këta vektorë ndoten nga kontakti me jashtëqitje apo sekrecione nga një pacient i infektuar dhe transmetojnë organizmat infektivë tek pacientët e tjerë. Raste të tilla janë malarja, ethet hemorragjike etj.

Tipet e Infeksioneve te Fituara Spitalore
Llojet më të zakonshme të infeksioneve nozokomiale që mund të ndodhin në një spital janë:
• Infeksionet post kirurgjikale dhe ato të indeve të buta
• Infeksionet e traktit urinar
• Infeksionet respiratore
• Infeksione sistemike
• Gastroenteriti
• Meningiti

Dy parime themelore për përhapjen e infeksioneve nosokomiale gjatë kujdesit shëndetësor janë:
Të largojmë burimin e infeksionit nga pjesa tjetër e spitalit dhe të ndërpresim çdo rrugë të transmetimit të tij. Kjo ndarje përfshin jo vetëm izolimin e pacientëve të infektuar, por edhe ndërmarrjen e të gjitha masave teknike sterilizuese që kanë për qëllim veprimin si një pengesë midis indit të infektuar dhe mjedisit, duke përfshirë pacientët e tjerë dhe personelin.
Mbrojtja e personelit, në veçanti kundër transmetimit të infeksioneve nëpërmjet gjakut, p.sh. AIDS dhe hepatiti virale B dhe C.
Tashmë infeksionet spitalore janë një realitet i ambienteve spitalore. Zbatimi me rigorozitet i protokolleve mjekësore ka bërë të ulet në maksimum prevalenca e tyre. Bashkëpunimi personel-pacient, personel-personel, pacientpacient është baza e një sistemi të shëndoshë mjekësor dhe arma më e fuqishme ndaj infeksioneve spitalore. Kontrolli i higjenës së duarve tona është metoda më e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme në kontrollin e infeksioneve spitalore.

Nga Dr. Edmond Puca



Main menu 2