Jump to Navigation

Paketimi i bimëve mjekësore

Pas tharjes, bimët menjëherë duhet të paketohen, e sidomos bimët që thithin më shumë lagështi. Ato bimë paketohen me paketim të dyfishtë prej letre (disa lule dhe gjethe). Disa lloje bimësh pas tharjes copëtohen lehtë. Që të mos ndodhë një gjë e tillë, këto bimë duhet t’i lëmë të ftohen gjatë gjithë natës, e pastaj t’i paketojmë. Është me rëndësi të dimë se gjatë paketimit nuk duhet të bëjmë shtypjen e bimëve dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të paketohen vetëm bimët e pastruara nga papastërtitë e ndryshme organike e inorganike. Ka ambalazhe të ndryshme për paketimin e bimëve, në varësi se cilën pjesë të bimës së tharë paketojmë (letër, karton, qese etj).

Ambalazhi ka rëndësi të veçantë për ruajtien e këtyre barnave nga lagështia, drita, papastërtia, temperatura, insektet e ndryshme etj. Çdo paketim duhet të ketë etiketën me emrin e barit dhe shënime të tjera të nevojshme, si: klasa, viti i vjeljes dhe mundësisht edhe prejardhia e barit të përgatitur. Depot për grumbullimin e këtyre barnave duhet të jenë të thara, të pastra dhe të ajrosura. Në fund duhet të theksojmë se të gjitha barnat mjekuese nuk duhet të ruhen më shumë se një vit e disa specie edhe më pak, sepse i humbasin vetitë e tyre mjekuese. Në mënyrë që t’i ruajmë më mirë, mundemi që me anë të presimit t’i paketojmë, si dhe përmes trierit t’i pastrojmë.

Vërejtje: Disa lloje bimësh mjekësore janë të rrezikuara, sepse gjenden në listën e kuqe, por duhet treguar kujdes gjate mbledhjes së tyre qe të mos mbishfrytëzohen në mënyrë që numri i tyre të mos zvogëlohen në natyrë. Në nivel ndërkombëtar këto specie mbrohen nga Konventa mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Florës së egër. Po kështu në nivelin Europian ekziston Konventa per Ruajtien e Jetës së egër dhe Habitateve Natyrale e vitit 1982 (Konventa e Bernës). Në vendet e Bashkimit Europian, CITES është implementuar nga Këshilli i Rregullores (EC) nr 338/97 dhe amendimet ne Direktivën e Këshillit 92/43 EEC (Habitatet, Direktiva per Floren dhe Faunën). Prandaj duke mbrojtur bimët aromatiko-mjeksore ne mbrojmë natyrën dhe u trashëgojmë brezave të ardhshëm një pasuri të madhe.



Main menu 2