Jump to Navigation

Rregullat për vjeljen e bimeve mjekësore

Në bimët mjeksore, tanifere dhe eterovajore natyrore përfshihen: drurët, shkurret, shkurrëzat, bimët barishtore dhe kërpudhat që rriten spontanisht në gjendje të lirë, të cilave për përdorim brenda vendit, ose për eksport u grumbullohen organet mbitokësore dhe nëntokësore si: sythat, lulet, gjethet, frutat farërat, kërcelli, lëvorja, rrënjët dhe rizomat. Vjelja e prodhimit të këtyre bimëve bëhet sipas disa rregullave. Këto rregulla përcaktojnë kohën dhe mënyrën e vjeljes së këtyre bimëve dhe të organeve të tyre. Për çdo organ veç e veç duhet të zbatohet kjo mënyrë vjelje.

1. Sythat: (Gemmae, Turiones)
a) Grumbullohen në pranverë herët, kur tek bima shfaqen shenjat e para të rifillimit të aktivitetit, por para se të hapen luspat që mbulojnë sythat.
b) Grumbullohen sythat vetëm nga degët anësore në drurë me moshë mbi 7 vjet. Sythat grumbullohen gjithashtu edhe nga drurët të cilët sipas rregullave duhet të priten ose krasiten.
c) Grumbullimi i sythave bëhet vetëm duke i këputur ato me dorë.
Për këtë qëllim ndalohet prerja e degëve.

2. Lulet (Flores)
a) Lulet grumbullohen kur kanë arritur çeljen në masën 50-60 për qind të tyre. Ato grumbullohen duke i këputur një nga një ose me mjete të posaçme në formë krehëri, gërshërësh etj.
b) Ndalohet grumbullimi i luleve në kohë me lagështi. Ato duhet të grumbullohen pas vesës së mëngjesit në kohë të thatë e mundësisht me diell.
c) Në shumicën e rasteve lulet grumbullohen të plota, me të gjitha organet e tyre duke i këputur me bisht jo më të gjatë se 2 cm.
ç) Lulet e drurëve të lartë si bliri (Tilia sp), Akacia (Robinia sp), Gështenja (Castanea sativa) etj grumbullohen duke i prerë me gërshërë të vendosur në majë të një shkopi të gjatë.
d) Lulet që këputen me vështirësi, si p.sh. lulet e Shtogut (flores Sambucus), grumbullohen duke i prerë me gërshërë dhe shkoqja bëhet pas tharjes.
dh) Lulet e kulumbrisë (flores Prunus-spinosa) grumbullohen me shkundje. Paraprakisht poshtë degëve të shkurres vihet një shtresë plasmasi ose beze, degët goditen lehtë pa i thyer apo dëmtuar në mënyrë që të bien vetëm lulet.
e) Lulet e bimëve barishtore që rriten në masë e nuk janë shumë të degëzuara, siç është kamomili (Camomilla), grumullohen me krëhër të posaçëm, ose direkt me dorë.
f) Në lulet që grumbullohen vetëm petalet, si tek Ciani (Cyani), Lulëkuqja (Papaver rhoeas), Luledielli (Helianthus annus), etj ndalohet këputja e të gjithë lules. Petëlat që grumbullohen duhet të kapen lehtë e të mos shtrëngohen me gishta sepse prodhimi dëmtohet dhe u prishet ngjyra.
g) Lulet e sapo grumbulluara hidhen në arka kartoni, në shporta ose në ambalazh tjetër të përshtatshëm dhe çdo 2-3 orë hapen për ajrosje. Si rregull, brenda ditës transportohen në vende të posaçme të hijezuara ku hapen në shtresa me trashësi 2-3 cm dhe herë pas here (çdo ditë ose çdo dy ditë) përzihen deri sa thahen plotësisht.

3. Gjethet (Folium)
a) Gjethet grumbullohen kur kanë arritur pjekurinë. Si rregull grumbullohen duke i këputur me dorë ose duke i prerë me gërshërë. Të voglat, të papjekurat dhe një pjesë e gjetheve nuk mblidhen me qëllim që të mos pengohet zhvillimi i mëtejshëm i bimës. Në tufat e gjetheve xhufkore si delli i ngushtë, gjethet e mesit nuk mblidhen.
b) Ndalohet prerja e degëve për të grumbulluar gjethet, me përjashtim të rasteve kur teknikisht lejohet që të bëhet ricungimi i bimëve.
c) Sherebela (Salvia officinalis) grumbullohet duke i korrur me kizë buqetat e vitit në vazhdim, në gjatësi të tillë që të përmbajë jo më shumë se tetë gjethe. Koha më e mirë për grumbullimin e sherebelës është pak para lulëzimit ose sapo të fillojë lulëzimi i degës kryesore. (Si rregull jo para mesit të Qershorit). Mund të merren dy korrje. E para në verë dhe e dyta në vjeshtë (Shtator-Tetor).
ç) Ndalohet rreptësisht prerja rrafsh me tokën dhe shkulja e sherebelës për të marrë gjethet.
d) Gjethet e shqemës (Rhus coriaria) dhe të cërmëdellit (Cotinus coggygria) mblidhen duke i këputur me dorë një nga një, ose priten bashkë me bisqet njëvjeçare me gjatësi deri 25 cm. Mbledhja e tyre si rregull fillon në Korrik dhe vazhdon deri në Shtator. Mënyra më e mirë është mbledhja duar-duar, duke këputur në Korrik fletët e mëposhtme, të cilat janë më të pjekura dhe pastaj të tjerat me rradhë deri në Shtator.
dh) Gjethet e porsa-grumbulluara hapen çdo 2-3 orë për ajrosje. Transporti i tyre në vendin e tharjes duhet të bëhet brenda ditës. Aty hapen në shtresa të holla dhe përzihen deri sa të thahen sipas kërkesave teknike.

4. Frutat: (Fructus)
a) Koha e grumbullimit të frutave ndryshon në vartësi të llojit të bimës, kushteve të klimës dhe kërkesave të tregut. Kështu frutat e mishta si kokrrat e Boronicës (Fructus -Vaccinium myrtillus), të Dëllinjave (Fructus Juniperus) të shtogut (Fructus- Sambucus nigrae), etj mblidhen pasi të jenë pjekur. Frutat e bimëve që nuk bien nga dega si p.sh. kokrrat e Murrizit (Fructus Crataegus monogyna), mblidhen edhe më vonë. Kur frutat kërkohen në gjendje të freskët, mblidhen para pjekjes së plotë. Grumbullimi i kokrrave të trëndafilit të egër (Rosa canina) fillon kur ato kanë marrë ngjyrë të kuqe në vishnje dhe vazhdon deri sa kokrra të jetë e fortë e të mos jetë zbutur.
b) Si rregull frutat grumbullohen duke i këputur me dorë. Në disa bimë, si tek dëllinjat, grumbullimi i kokrrave bëhet edhe me shkundje të lehtë, në mënyrë që të mos dëmtohet bima dhe të mos hidhen poshtë kokrrat e papjekura që do të japin prodhim vitin e ardhshëm. Edhe kokrrat e gështenjës së egër (Castanea sativa) grumbullohen pasi të bien nga druri, ndërsa frutat e shtogut (Sambucus nigrae) grumbullohen duke i prerë me gërshërë veshulet dhe duke i tharë. Më pas frutat shkoqen.
c) Kokrrat e boronicës ose qershiglës (Vaccinum myrtillus) grumbullohen me dorë ose me mbledhëse në formë krëhëri. Ndalohet shkulja e bimës për të mbledhur kokrrat ose gjethet.
ç) Valanidhit (Quercus macrolepis) i mblidhet zhgualli. Mbledhja e tij bëhet në dy faza: faza e parë zakonisht fillon në Korrik dhe vazhdon deri nga mesi i Gushtit. Prodhimi i kësaj periudhe që quhet “psofaqi” bie vetë nga degët, prandaj grumbullohet i rrëzuar në tokë. Faza e dytë fillon në Shtator e mund të vazhdojë deri në Nëntor.
Zakonisht vjelja fillon pas hapjes së zhguajve dhe rënies në tokë të lendeve. Pjesa që nuk bie vetë, rrëzohet nga degët me lekundje.
d) Ndalohet shkundja me shkop e valanidhit.
dh) Për të mos humbur cilësitë, zhgualli i valanidhit i rënë në
tokë duhet të mblidhet menjëherë, pa e lënë të kalbet nga rënia e shirave.
e) Ndalohet prerja e degëve të valanidhit dhe e bimëve të tjera, si dhe shkulja e tyre për të grumbulluar frutat.
f) Grumbullimi dhe mbledhja e frutave, nuk duhen bërë në kohë me shi, me mjegull, erë dhe temperature të lartë, gjithmonë duhet të mblidhen pas tharjes së vesës.

5. Kërcelli ose bima e tërë pa rrënjë (Herba)
a) Bimët barishtore të cilave nuk u drunjëzohet kërcelli, grumbullohen duke i prerë disa centimetra mbi sipërfaqen e tokës në mënyrë që prodhimi të mos përzihet me papastërti. Po kështu priten edhe bimët që formojnë buqeta gjethesh mbi sipërfaqen e tokës.
b) Bimët barishtore shumëvjeçare grumbullohen duke i prerë mbi pikën e degëzimit të kërcellit me qëllim rigjenerimi.
c) Vjelja e bimëve barishtore bëhet në kohë pa lagështi.
d) Çaji i malit (herba Sideritis raeseri) vilet vetëm duke zgjedhur bimët që kanë çelur të paktën 1/3 e lules së tyre. Mënyra e vjeljes bëhet vetëm duke i prerë bimët. Ndalohet prerja e kërcejve të palulëzuar. Këta lihen për të siguruar prodhimin e mëvonshëm, ripërtëritjen dhe zhvillimin e bimës.
dh) Ndalohet kategorikisht shkulja e bimëve barishtore kur atyre nuk u grumbullohen rrënjët ose rizomat.
e) Për të garantuar vazhdimësi të prodhimit të çajit të malit dhe bimëve të tjera barishtore, në çdo 3-4 m² sipërfaqe të lihet detyrimisht pa u vjelur të paktën një tufë nga çaji i malit dhe bimët e tjera të dobishme, me qëllim që kur fara të ketë arritur pjekjen e plotë, të bjerë në tokë dhe të vlejë për të zgjeruar mbirjet.

6. Lëvorja: (Cortex)
a) Lëvorja mblidhet nga drurët e rinj ose nga degët. Ajo duhet të jetë e lëmuar, me shkëlqim, pa pjesë drusore, pa alga, myshqe e kërpudha dhe pa njolla të zeza e myk në pjesën e brendshme.
b) Lëvorja vilet në pranverë kur lëngjet (limfa) qarkullojnë vrullshëm në dru. Në këtë fazë lëvorja hiqet me lehtësi dhe vazhdon deri në formimin e gjetheve të para.
c) Pjesët e shkurreve dhe të drurëve, prej të cilave vilet lëvorja, priten. Atyre u bëhen prerje në formë rrethi me thikë, në largësi 10-15 cm njëra nga tjetra, pastaj bëhet një prerje gjatësore dhe me majën e thikës hiqet lëvorja në formë tubi. Kur degët janë të trasha lëvorja hiqet në formë brezash me gjatësi 10 cm dhe gjerësi sa më të madhe.

7. Rrënjët dhe rizomat: (Radix, Rhizoma)
a) Rrënjët, rizomat dhe zhardhokët e bimëve mjekësore grumbullohen në pranverë herët, ose në vjeshtë vonë, kur bima është në qetësi dhe nuk ka lëvizje të lëngjeve.
b) Për nxjerrien e rrënjëve dhe rizomave përdoren shati, kazma, beli dhe mjete të tjera të përshtatshme.
c) Larja dhe pastrimi i rrënjëve dhe rizomave të bimëve helmuese siç është p.sh. shtara, në asnjë rast nuk duhet të bëhet në një vend me rrënjët dhe rizomat e bimëve të tjera dhe as në vende ku mund të pijë ujë bagëtia.
ç) Me qëllim që bimët të mos pakësohen, në çdo 3-4 m² sipërfaqe, të lihet detyrimisht të paktën një bimë e dobishme pa u shkulur. Këto rregulla duhet të zbatohen nga të gjithë personat fizikë apo juridikë që merren me vjelien e bimëve mjeksore, eterovajore e tanifere natyrore. Po të zbatohen këto rregulla teknike në natyrë, bimët mjeksore, eterovajore e tanifere nuk pakësohen apo zhduken.



Main menu 2