Jump to Navigation

Të dhëna të përgjithshme mbi grumbullimin e BMTE

Mbledhja e bimëve mjekësore është një proces që kërkon kohë, ka kosto të lartë dhe kërkon njohuri të mira praktike në grumbullimin e tyre. Duhet që secili grumbullues të njihet me speciet që grumbullohen, pjesët që vilen, kohën e vjeljes dhe rregullat teknike për vjeljen e tyre. Gjatë periudhës së vegjetacionit mund të mblidhen pjesë të ndryshme të së njëjtës bimë. Është mirë që gjatë një dite të mblidhet vetëm një pjesë e trupit të bimës, në mënyrë që të mos bëhet përzierja e tyre.

Mbledhja e bimëve fillon gjithmonë në kohë të mirë, zakonisht pas orës 10. Pas mbledhjes së bimëve, ato duhet të pastrohen menjëherë. Lulet zakonisht mblidhen në fillim të lulëzimit të bimëve, pasi kanë erë më të fortë dhe përmbajnë më shumë lëndë kuruese. Gjethet nuk duhet të dëmtohen gjatë mbledhjes. Ato duhet të jenë të shëndosha dhe me ngjyrë të gjelbër. Rrënjët (Radix) pasi të nxirren, duhet të pastrohen dhe të copëtohen.

Fara dhe frytet mblidhen kur të këtë arritur pjekja e plote, ndërsa lëngu që nxirret nga lëvoret (cortex) grumbullohet herët në pranverë, sepse në këtë kohë, përmbajta e lëngjeve është maksimale për faktin se vegjetacioni i bimës në këtë periudhë është shumë i lartë .Të gjitha bimët e mbledhura duhet të grumbullohen në vende të pastra dhe jo në vende të ndotura (si linjat e elektrikut, rreth rrugëve, hekurudhave, fabrikave të ndryshme etj).

Të gjithë personat që mbledhin bimë mjekësore, duhet të kenë kujdes edhe nga minat kur kemi parasysh se vendi ynë ka kaluar trazirat e vitit 97 te cilat çuan në hapjen e depove luftarake, prandaj duhet të kontaktojnë me institucionet përkatëse, në mënyrë që të njihen me zonat e rrezikshme.



Main menu 2