Jump to Navigation

Kirurgjia Estetike

Kirurgjia estetike është lami sa sfiduese, aq edhe emocionuese, si për kirurgun, ashtu edhe për pacientin, sepse  mundëson përmirësimin e pamjes së njerëzve që kanë probleme të ndryshme estetike/kozmetike. Thjesht ajo nuk bën mrekulli, por ofron mundësinë që të përmirësohet kualiteti i  standardit trupor dhe atij psikik të individit.

Kirurgu plastik ka mundësi që pacientit t’i ofrojë mundësinë që ai të duket më mirë, të ndihet më mirë duke ndikuar kështu në përmirësimin e kualitetit të jetës së tij. Mirëpo, duhet pasur parasysh që dëshirat e pacientit të jenë reale, sepse kirurgu plastik nuk mund të mjekojë dhe të zgjidhë të gjitha problemet e tij. Në ditët e sotme çdo njeri ka mundësi të ndërrojë pamjen e vet falë të arriturave që janë bërë në mjekësi, gjegjësisht në kirurgjinë estetike.

Cila është kategoria e njerëzve që kërkojnë intervenime estetike?
Të gjithë njerëzit e përkatësisë së dy gjinive mund t’u nënshtrohen operacioneve estetike. Femrat më së shumti bëjnë operimin e gjokseve dhe largimin e celulitit, si dhe tregojnë interesim që të bëjnë trajtime jo kirurgjike, siç është aplikimi i botoxit për largimin e rrudhave si dhe fryrje të buzëve, ndërsa meshkujt operojnë barkun e varur dhe largimin e gjinjve (gjinekomastia). Nuk do të thotë që vetëm personat VIP bëjnë operacione estetike.

Në cilën moshë kryhen intervenimet kirurgjike?
Mosha e pacientëve për intervenime kirurgjike varet nga lloji i operacionit, p.sh. për korrigjimin e veshëve mosha ideale është para moshës 6 vjeç d.m.th. para se fëmija të vijojë mësimin; korrigjimi estetik i hundës bëhet  pas moshës 18 vjeç, ndërsa korrigjimi funksional mund të bëhet edhe para kësaj moshe; operacionet estetike të gjinjve (rritja e gjinjve, zvogëlimi i gjinjve dhe ngritja e gjinjve bëhet pas pubertetit, ndërsa liposukcioni (largimi i celulitit) mund të realizohet në çdo moshë, ngase disa pacientë që në moshën e re janë të trashë, ndërsa faceliftingu (largim i rrudhave nga fytyra dhe largimi i lëkurës së varur) pas moshës 40 vjeçare.

Sa janë të rrezikshme intervenimet kirurgjike dhe cilat janë komplikimet e mundshme?
Operacionet estetike nuk janë të rrezikshme, për shkak se pacienti paraprakisht, para operimit u nënshtrohet analizave rutinore dhe nëse gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit është stabile, atëherë ai i nënshtrohet intervenimit kirurgjik estetik.
Komplikimet mund të jenë të zakonshme siç janë komplikimet, të cilat mund të paraqiten pas çdo ndërhyrjeje tjetër kirurgjike, si p.sh. hematome, dehiscence, por të cilat mund të korrigjohen.

Cilat janë operacionet estetike që mund të aplikohen?
Operacionet estetike ndahen në dy grupe:
Operacione jo-kirurgjike-estetike që nënkupton trajtime estetike pa ndërhyrje kirurgjike, pa skalper (bisturi), siç është rasti i largimit të rrudhave në fytyrë me injeksion Butox, për trajtimin e djersitjes – Hyperchidrosis-i,  për të cilin tretman nuk ka nevojë hospitalizim dhe tretman post-operativ. Kjo ndërhyrje bëhet për 10 minutë.
Trend në kirurgjinë estetike është aplikimi i fillerave – injeksioneve për trajtim të fytyrës Ato mund të jenë të përhershme apo të përkohshme (acid hijalurinidik  1 vjeçar).
Me anë të injeksioneve mund të trajtohen rrudhat në fytyrë (vijat horizontale në ballë, në mes të vetullave, sulcuset nazolabiale) fryrja rreth syve, mollëzave, buzëve, faqeve. Pra, ka mundësi të ndryshme të aplikimit me ç’rast rezultatet shihen menjëherë dhe janë shumë falënderuese, sepse pacienti menjëherë mund t’u rikthehet aktiviteteve të përditshme jetësore.

Operacionet kirurgjike- estetike
Korrigjimi estetik i veshëve – Otoplastika.
Korrigjimi estetik i hundës – Rinoplastika
Facelifting – largimi i rrudhave në fytyrë
Korrigjimi estetik i kapakëve të syve – Blefaroplastika
Rritja e gjinjve – Augmenatatio mmamae
Ngritja e gjinjve – Mastopexy
Zvogëlimi i gjinjve – Mamoplastica redukcionale
Largimi i gjinjve tek meshkujt – Gjinecomastia
Largimi i barkut ti varur – Abdominoplasika
Largimi i celulitit – Liposukcioni.



Main menu 2