Jump to Navigation

Reagim i Ministrisë së Shëndetësisë ndaj artikullit në gazetën “Kosova sot”

E Enjte 30 Gusht 2012 07:29 / Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës reagon ndaj pretendimeve të gazetares Etleva Skonja, të gazetës ditore “Kosova sot”,  datë 23 gusht 2012, fq. 1 dhe 5, e cila në një artikull të botuar sot në këtë gazetë, ofendon rëndë zyrtarët e kësaj Ministrie, në veçanti drejtoreshën e Departamentit Ligjor të kësaj ministrie, zonjën Fatime Aliu, me pretendimet se gjoja ajo po mban peng Ministrinë dhe e njëjta paska penguar realizimin e një kërkese të kësaj gazete për qasje në dokumente publike.

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se kërkesa e gazetares në fjalë është përpunuar sipas Ligjit për qasje në dokumente publike 03/L-215, dhe përgjigja është dhënë ende pa skaduar afati ligjor brenda të cilit Ministria ka qenë e obliguar sipas ligjit që të kthejë përgjigje.

Në kërkesën e pranuar me datë 14.08. 2012, Departamenti ligjor i MSH-së është përgjigjur me datë 17.08. 2012 dhe përgjigja i është komunikuar përmes telefonit gazetares në fjalë, dhe të njëjtës dhe vet gazetës,  e njëjta përgjigje i është dërguar edhe përmes postës elektronike me datë 22 gusht 2012.

Sipas Ligjit për qasje në dokumente publike 03 /L-215, Neni 7-Përpunimi i kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, autoriteti publik të cilit i bëhet kërkesa, në këtë rast MSh, ka qenë e obliguar që të kthejë përgjigje brenda 15 ditëve prej kohës së regjistrimit të kërkesës dhe po sipas këtij ligji, autoriteti publik, ka të drejtë të lejojë qasje në dokumentin e kërkuar, ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesërishëm, dhe e informon kërkuesin për të drejtën që ai ka parashtrimin e kërkesës informuese.

Departamenti Ligjor pasi ka shqyrtuar kërkesën e palës ka konstatuar se,  “bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni 41-E drejta e Qasjes në Dokumente Publike përcakton “dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj për shkak të privatësisë, sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë”, ka sjellë përgjigjen se “në bazë të Ligjit nr.03/L-215 për Qasje në dokumente publike, Neni 12, paragrafi 1.3, 1.7, 1.9 përcakton përjashtimet e së drejtës për qasje në dokumente publike dhe kufizohet për qëllime të mbrojtjes së parandalimit, hulumtimit dhe ndjekjes së aktiviteteve penale, interesave komerciale dhe të tjera ekonomike, barazisë së palëve në procedura gjyqësore dhe administrime efikas të drejtësisë, ne bazë të së cilës, MSH nuk ka mundur në këtë rast të ofrojë qasje në dokumentet e kërkuara, pasi që lënda e kërkuar është në procedurë gjyqësore në institucionet e drejtësis.

Përkundër kësaj përgjigje, Ligji për qasje në dokumente publike, neni 7, pika 9, i mundëson palës që ka paraqitur kërkesë që në rast të refuzimit të plotë apo të pjesërishëm, brenda 15 ditësh të tjera, pas marrjes së përgjigjes nga institucioni publik, të parashtrojë kërkesën për rishqyrtimin e çështjes, duke kërkuar nga institucioni që të rishqyrtojë vendimin.

Fatkeqësisht, gazetarja në fjalë, nuk i ka shfrytëzuar të drejtat ligjore dhe nuk e ka pritur afatin për ligjor për marrje të kërkesës, duke ardhur në MSH dhe duke e kërcënuar zyrtaren e Departamentit ligjor, menjëherë pas dorëzimit të kërkesës se “nëse nuk ktheni përgjigje brenda një afati dy ditor, do t’i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë special të EULEX-it, që të nisin hetime ndaj jush” (kërcënim ky që mund të verifikohet përmes shkresës së arkivuar të gazetares në fjalë), e po ashtu edhe përmes kërcënimeve verbale në prani të policëve që sigurojnë objektin e MSH-së dhe zyrtarëve të tjerë,  gazetarja ka shkelur rendin shtëpiak të një institucioni publik (MSH-së) dhe ka shprehur hapur pretendimin se nuk është e interesuar të bashkëpunojë në realizimin e kërkesës, por ka ardhur me qëllime të tjera, të cilat i konfirmon me shkrimin e saj tendencioz dhe jo real.

Po ashtu, gazetarja ka keqpërdorur edhe bisedën në telefon me Sekretarit të Përgjithshëm, dr. Gani Shabani, duke ia mveshur atij fjalët se gjoja Sekretari paska thënë se ai nuk mund ta urdhërojë zyrtaren nga Departamentin Ligjor (DL). Në fakt,  Sekretari i Përgjithshëm  ka kërkuar nga DL që në bazë të dispozitave të Ligjit për qasje në dokumente zyrtare t’i përgjigjet gazetës, por Sekretari i Përgjithshëm, nuk mund të urdhërojë askë që të veprojë jashtë legjislacionit në fuqi.

Prandaj, duke i hedhur poshtë të gjitha pretendimet e këtij artikulli, Ministria do ta paraqes këtë rast në Këshillin e Pavarur të Mediave të Shkruara dhe në organet e tjera kompetente, për shkak të shpifjeve, kërcënimeve dhe ofendimeve pa bazë që nga gazetarja në fjalë u janë bërë zyrtarëve të MSh-së, që sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, përbëjnë edhe vepër penale.



Main menu 2