Jump to Navigation

Peptidet

Peptidet janë komponime organike të përbëra prej një numri të vogël aminoacidesh, të cilat janë të lidhura mes vete me lidhje peptidike. Prandaj, me hidrolizën e peptideve si produkte të fundit fitohen aminoacidet. Sipas numrit të aminoacideve, që marrin pjesë në ndërtimin e molekulës, peptidet ndahen në:
• dipeptide- të ndërtuara prej 2 aminoacidesh;
• tripeptide- të ndërtuara prej 3 aminoacidesh;
• tetrapeptide- të ndërtuara prej 4 aminoacidesh etj.

Peptidet të cilat i kanë të ndërtuara molekulat prej 2-10 aminoacidesh, quhen oligopeptide. Molekulat e peptideve, të ndërtuara prej 10-100 aminoacidesh, quhen polipeptide. Peptidet të cilat i kanë molekulat më shumë se 100 aminoacidesh, quhen proteina. Funksioni i molekulës peptidike varet nga numri, lloji dhe renditja e aminoacideve.
Peptidet dallohen prej proteinave, jo vetëm nga numri i aminoacideve, që merr pjesë në ndërtimin e molekulës së tyre, por edhe për atë se peptidet treten në ujë, kalojnë nëpër membranën e celofanit etj. Oligopeptidet dhe polipeptidet fitohen edhe në trakt digjestiv pas zbërthimit parcial të proteinave. Mirëpo, ekzistojnë edhe oligo dhe polipeptide natyrore që kanë rol të caktuar fiziologjik.

Ja disa prej tyre:

Glutationi
Glutationi është një tripeptid i (i ndërtuar nga 3 aminoacide) i ndërtuar prej acidit glutaminik, cisteinës dhe glicinës. Glutationi ka rol të rëndësishëm në organizëm. Merr pjesë në proceset oksido-reduktuese si transportues i hidrogjenit.

Insulina
Insulina është peptid-hormon. Gjendet në pankreas dhe e ul sasinë e sheqerit në gjak. Molekula e saj është e ndërtuar prej 51 aminoacidesh, prandaj bën pjesë në polipeptide. Insulina prodhohet në Ishujt e Langerhansit (lat. Insula-ishull). Me sasinë e zvogëluar të insulinës shkaktohet sëmundja e njohur diabetes melitus, sëmundja e sheqerit.

Glukagoni
Glukagoni hormoni tjetër i pankreasit është polipeptid i ndërtuar nga 29 aminoacide. Ka veprim të kundërt me insulinën. Ai e rrit sasinë e sheqerit në gjak, duke stimuluar zbërthimin e glikogjenit në mëlçi dhe në muskuj.

Për nga struktura, në peptide bëjnë pjesë edhe disa antibiotikë, si penicilina, gramicina, aktinomicina etj. Edhe shumë helme bimore e shtazore bëjnë pjesë në peptide. Kështu p.sh. helmet e izoluara nga kërpudhat- amantina dhe falodina bëjnë pjesë në oligopeptide, sepse molekulat e tyre janë të ndërtuara prej 77 aminoacidesh.
Në helmin e bletës gjenden polipeptide të ndryshme, të cilat janë të ndërtuara prej 18- 26 aminoacidesh. Helmet e gjarpërinjve po ashtu përmbajnë polipeptide të ndryshme.



Main menu 2