Jump to Navigation

Terapia e depresionit përmes telefonatës mund të japë rezultate

Sipas studimeve të reja, marrja e këshillave mbi depresionin përmes telefonatave (me psikologë) mund të ketë rezultate të dukshme. Studimet kanë përfshirë 393 të moshuar me depresion mesatar të cilët sapo kanë filluar të përdorin antidepresiv.


Pjesëmarrësit në studim të cilët kanë pasur terapi telefonuese, vazhdimisht gjatë gjithë vitit, si plotësim i mjekimit standard, kanë treguar përmirësime më të mëdha në simptomat e depresionit se sa ata të cilët kanë marrë vetëm mjekim standard pa terapi telefonuese. Këto përmirësime kanë zgjatur së paku edhe gjashtë muaj pas séances së fundit me terapi telefonuese. Të arriturat u botuan në Gazetën e Psikologjisë Konsultuese dhe Klinike.

Detajet e studimit
Studimi përfshiu pacientë depresiv të një Organizate Shëndetësore nga Seatlle (SHBA), të cilët ishin të një moshe rreth 44 vjeçare, në mesatare, dhe shumica gra.
Pacientët u ndanë në dy grupe. Një grup të cilët kanë pranuar terapi telefonuese gjatë një viti, si shtesë e mjekimit standard. Grupi tjetër ka pranuar mjekim standard të depresionit pa terapi telefonuese.
Pacientët në grupin e terapisë telefonuese ndiqnin 10-12 seanca të terapisë behavioriste (lidhur me sjelljen) gjatë kursit nga konsultues - psikologë të trajnuar veçanërisht për këto raste.
Pacientët dhe këshilltarët kurrë nuk janë takuar personalisht. Këshilltarët kanë telefonuar pacientët për të kryer detyrat e caktuara sipas terapisë. Personat e të dy grupeve në fund u lejuan të kishin takime personale këshilluese mes veti, por shumë pak e bënë këtë.

Seancat me terapi telefonuese mbi depresionin
Këto seanca telefonuese u rregulluan ashtu që të ndihmonin pacientët të flaknin mendimet negative, të kultivojnë aktivitete të këndshme, shpërblyese dhe të kontrollojnë simptomat e depresionit.
Hulumtuesit, intervistuan të gjithë pacientët e të dy grupeve në mënyrë periodike gjatë gjithë periudhës (një vit e gjysmë) për të gjykuar rreth simptomave të tyre depresive.
Periudha e studimit përfundoi gjashtë muaj pas mbarimit të seancës me mjekim telefonues. Në fund të kësaj periudhe pacientët në grupin që zhvillonin edhe terapi telefonuese kishin përmirësime më të mëdha në simptomat e tyre të depresionit, krahasuar me ato në grupin që mjekohej vetëm me terapi standarde.
Këto të arritura treguan një përmirësim shumë më të lartë afat shkurtër të simptomave të depresionit me anë të terapisë telefonuese.

Përmirësimet
“Ne ishim të befasuar sa mirë ruheshin efektet pozitive me kalimin e kohës”, ka thënë një psikolog, pjesë e grupit hulumtues.
Pacientët me terapi telefonuese ishin më pak të prirë të përdorin antidepresiv. Por, kjo nuk e shpjegon gjithë përmirësimin. Studimi nuk tregon se cilat aspekte të seancave telefonuese ishin më të suksesshme. Studiuesit nuk e sugjerojnë terapinë telefonuese si zëvendësim për terapinë tjetër depresive, por plotësimi i saj me telefonata mund të ndihmojë shumicën e pacientëve të arrijnë përmirësime më të mëdha dhe më të shpejta, e veçanërisht pacientët që nuk shkojnë në konsultime personale me psikolog.

Burimi: Imedica



Main menu 2